Fondacioni Dritan Hoxha në bashkëpunim me Top Channel ka ndërmarrë një nisëm gjithëpërfshirëse në të gjithë Shqipërinë, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve që janë më në nevojë këtë prag krishtlindjesh.
Në 11 qytete të vendit iu dorëzuan pako ushqimore familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme. Ky është realiteti i dhimbshëm për shumë familje në Shqipëri që edhe pse na ndajnë pak ditë nga viti 2023 ato vazhdojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme.Fondacioni Dritan Hoxha shkoi pranë tyre duke iu dhënë mundësinë që dhe ata të gëzojnë sadopak këto festa.
Sidorela Mema është 23 vjeç dhe mes vështirësive ekonomike po rrit e vetme tre fëmijë të moshës 5, 4 dhe 1 vjeç.
Familja e Bledar Leshës në Shkodër është përmbytur disa herë nga shirat. Varfëria në të cilën jetojnë e rëndon edhe më shumë gjendjen shëndetësore të familjarëve të sëmurë, ndërsa atij vet ia kanë refuzuar kempin.
Një shtëpi prej plastmasi, ky është realiteti i kësaj familje në Bulqizë.
Alma është e detyruar që dy fëmijët e saj ti rrisë në kushte të mjerueshme, ku natën e kalojnë në këtë dhomë ku shihet qielli.
Prindërit nuk munden t’i mundësojnë çdo gjë fëmijëve ndaj ata dëshirat i hedhin në letër dhe e vendosin në pemë, me shpresën se do tu plotësohet.
Fondacioni Dritan Hoxha në vigjilje të krishtlindjeve solli pak shpresë për këto familje. Që nga viti 2010 kur u krijua fondacioni që mban emrin e themeluesit të Top Media Group, Dritan Hoxha, krahas përmbushjes së misionit të vet në fushën e medias, artit e kulturës, ka kontribuar edhe në çështje sociale që prekin familje apo grupe vulnerabël në nevojë.
Top Channel