Grupi i dehur i ‘Babagjyshëve’ tentojnë të marrin tankun e ushtrisë në fshatin britanik (fotot)

24/12/2022 19:31

Një grup i zhurmshëm burrash pak të dehur e të veshur si Babagjyshi i Krishtlindejve tërhoqën vëmendjen e policisë kur tentuan të drejtojnë një tank të ushtrisë në një qytezë festive në jugperëndim të Britanisë.

Babagjyshët qejflinj, qe ishin ne fakt ushtarakë te bazës aty pranë, zemëruan rezidentët teksa u filmuan duke marrë kontrollin e tankut në Cornwall, duke tentuar ta drejtonin atë në rrugët e ngushta të qytezës Angarrack.

Mjeti gjigant prej metali kishte mbetur i bllokuar në mesin e rrugës disa metra larg bazës ushtarake në zonë.

Vetem më vonë u kuptua se burrat e veshur si ‘babagjyshë’ ishin ushtarakë që tentonin ta rivinin në lëvizje hekurishten gjigante.

Por episodi qesharak tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe një polic trafiku shihej që po u bërtiste burrave për mjetin që kishin lënë në mes të rrugës.

Rrjeti vendas Cornwall Live raportonte se oficeri paralajmëronte ushtarakët e dehur të mos dëmtonin makinat e parkuara.

Ndërsa në rrjetet sociale, ngjarja u trajtua si një sjellje e papranueshme nga ushtarakët.

“Një tank i ushtrisë që drejtohet nga babagjyshë të dehur mbetet në rrugë në Angarrack”, shkruante një grua.

Një tjetër person tha me shaka: “Tani i kam parë të gjitha, tanku i ushtrisë i drejtuar nga babagjyshët bllokon rrugën e fshatit”.

Një zëdhënëse e policisë konfirmoi se një makinë ishte dëmtuar nga tanku, duke thënë: “Oficerët erdhën në vendngjarje për të ndihmuar dhe përcaktuar detajet. Nuk u morën masa të mëtejshme.”

FOTO GALERI
1/5
Një grup i zhurmshëm burrash pak të dehur e të veshur si Babagjyshi i Krishtlindejve tërhoqën vëmendjen e policisë kur tentuan të drejtojnë një tank të ushtrisë

Top Channel