Një 16-vjeçar është gjetur i pajetë mëngjesin e së enjtes në Tetovë, në rrjedhën e lumit Shkumbin.
16-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga një bashkëmoshatare e tij me sende të forta në vendin e quajtur “Banja” në Tetovë.
Fillimisht, rreth këtij rasti u raportua se dyshohet për vetëvrasje, por policia tha se dyshimet tani janë për vrasje.
Avokati mbrojtës i vajzës në fjalë, Ibrahim Bajrami, ka bërë të ditur se vajza po mbahet nën mbikëqyrje të specializuar psikiatrike .
“Për momentin mund të them se bëhet fjalë për person të mitur të gjinisë femërore, nën 18 vjeç. Çështja është në procedurë hetimore dhe si e tillë për shkak të zbardhjes sa më korrekte të rastit është mirë që në këtë fazë t’i lëmë organet të bëjnë detyrën. Personi që unë e kam marrë ta përfaqësoj, do të jetë nën mbikëqyrje të stafit profesional mjekësor, për t’u vërtetuar gjendja e saj psiko-fizike. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u vërtetuar gjendja faktike në lidhje me rastin shumë tragjik”, deklaroi avokati Bajrami.
Policia ndërkohë po vazhdon hetimet, për të zbuluar shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë.
Top Channel