Si çdo vit, festa e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri sjell në atdhe mijëra shqiptarë të Italisë, Greqisë por jo vetëm.
Fluksi i emigrantëve ka nisur që prej ditës së djeshme Portin e Durrësit, ndërsa në orët në vijim priten pesë tragete nga Bari dhe Ankona. Një prej trageteve është shtyre më dy orë dhe pritet të mbërrijë këto momente.
Vetëm gjatë 24-orëve në Durrës kanë mbërritur mbi katër mijë emigrant dhe një mijë automjete. Fluksi është shtuar ndjeshëm, ndërkohë autoritetet kanë shtuar masat. Kompanitë e lundrimit kanë rritur numrin e lundrimeve, me qëllim përballimin e situatës.
Në Kakavijë këtë vit vihet re një fluks i dyfishuar i emigrantëve të cilët vijnë nga Greqia. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur rreth 4 mijë e 700 emigrantë, ndërsa aktualisht situata duket nën kontroll.
Autoritetet shqiptare janë duke punuar me tre sportele në hyrje dhe tre në dalje. Pritet që fluksi të shtohet në vigjilje të Krishtlindjeve në orët në vijim. Ndërkohë ka kontroll të shtuar në vijnë e dytë të kufirit, sidomos bagazhet e mjeteve. Prenotime të shumta janë vënë re në të gjithë juglindjen.
Në Kapshticë, në 24 orët e fundit ëshjtë vënë re një shtim të fluksit të emigrantëve. Autoritete shqiptare janë duke punuar me 6 sportele, ndërsa Greqia me tre. Në këto kushte, autoritet kanë kërkuar shtim të numrit të sporteleve nga pala greke. Rreth 3 mijë e 600 persona kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve nga kjo pikë kufitare, ndërsa shumë të tjerë kanë kaluar drejt Greqisë, për të kaluar festat pranë familjarëve të tyre që ndodhen atje.
Top Channel