Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Gjykata rrëzon kërkesën e Paplekajt, gjyqi zhvillohet në Elbasan

22/12/2022 11:03

Procesi gjyqësor për Pjerin Xhuvanin i vrarë më 21 prill 2021, do të zhvillohet në Elbasan pasi Gjykata e Lartë vendosi se nuk do të transferohet në asnjë qytet tjetër.

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e transferimit që ishte bërë nga i pandehuri kryesor i asaj vrasjeje, Arbër Paplekaj, dhe pranoi konkretisht të gjitha arsyet e deklaruara nga avokate Rezarta Tahiraj që përfaqëson të drejtat e të afërmve të viktimës Pjerin Xhuvani .

Në Elbasan nuk garantohet siguria e personave që marrin pjesë në gjykim dhe nga kjo situatë cenohet vullneti i të pandehurve , dëshmitarëve, ekspertëve, por edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kjo është kërkesa e ish truprojës së zgjedhjeve Arbër Paplekaj nën akuzë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit i cili kërkon transferim të procesit penal në një qytet tjetër. Diçka e tillë ka ndodhur më herët për gjykime të bujshme që nga Tropoja , Vlora dhe Fieri janë gjykuar në Tiranë.

Si argument kryesor të sigurisë Paplekaj përdor paaftësinë e policisë lokale për të parandaluar krime si ai i 21 prillit 2021 . Paplekaj kujton se shtatë policë u morën të pandehur për shpërdorim detyre mbasi gjendeshin në vendngjarje dhe nuk parandaluan të shtënat por dhe nuk identifikuan dot edhe personat që qëlluan me armë zjarri

37 vjeçari këmbëngul se kjo siguri u garantohet dëshmitarëve në çdo gjykatë tjetër përveçse në Elbasan Argumenti tjetër lidhet me mos transportimin e të dyshuarit nga paraburgimi 302 ku ai mbahet drejt gjykatës së Elbasanit dhe këtë e vërteton me një email të 29 shtatori 2022 të institucionit qendror të sistemit ponitenciar që përmend se ishte e pamundur ta dorëzonte në gjykatë

Ngjarja ndodhi gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare ku nga njëra anë i dyshuari Arbër Paplekaj dhe përkrahës të tjerë të PD dhe viktima Pjerin Xhuvani, Mehmet Greca e të tjerë mbështetës të Ps u përplasën me njëri tjetrin në prani të Policisë derisa konflikti precipitoi me një të vrarë e dy të plagosur. Prokuroria thotë se është qëlluar me dy armë të ndryshme nga persona ende të paidentifikuar të cilët gjendeshin në vendngjarje dhe ishin pjesë e të dyja grupimeve.

Top Channel