Japonia miratoi një politikë të re që promovon përdorimin më të madh të energjisë bërthamore për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike mes mungesave globale të karburanteve dhe për të reduktuar emetimet e karbonit.
Politika e re thotë se Japonia duhet të maksimizojë përdorimin e reaktorëve bërthamorë ekzistues duke rifilluar sa më shumë prej tyre dhe duke zgjatur jetën e funksionimit të reaktorëve të vjetër përtej kufirit të tyre 60-vjeçar e duke zhvilluar reaktorë të gjeneratës së ardhshme për t’i zëvendësuar ata.
Ndjenjat anti-bërthamore dhe shqetësimet për sigurinë u rritën ndjeshëm në Japoni pas katastrofës së Fukushimës që ndodhi në vitin 2011, dhe miratimet e rifillimit që atëherë kanë hyrë ngadalë nën standarde më të rrepta sigurie.
Kompanitë e shërbimeve komunale kanë aplikuar për rifillimin e 27 reaktorëve në dekadën e fundit. 17 prej tyre kanë kaluar kontrollet e sigurisë dhe vetëm 10 kanë rifilluar funksionimin.
Kjo ishte në përputhje me planin e mëparshëm të Japonisë për të hequr nga përdorimi gradualisht energjinë bërthamore deri në vitin 2030.
Politika e re thotë se energjia bërthamore siguron prodhim të qëndrueshëm dhe se ka një “rol të rëndësishëm si një burim energjie bazë pa karbon në arritjen e stabilitetit të furnizimit dhe neutralizimit të karbonit”.
Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë ka hartuar një plan për të lejuar vazhdimin e punës çdo 10 vjet për reaktorët pas 30 vitesh funksionimi.
Plani u miratua nga Autoriteti i Rregullimit Bërthamor, mbikëqyrësi bërthamor i Japonisë, duke hapur rrugën për miratimin e politikës. Rregullat e reja të inspektimit të sigurisë ende duhet të përpilohen në ligj dhe të miratohen nga Parlamenti.
Top Channel