Zelensky mbërrin në SHBA/ Udhëtimi i parë jashtë Ukrainës që prej fillimit të luftës

21/12/2022 20:24

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur këtë të mërkurë në Shtetet e Bashkuara.

Në gati 10 muaj luftë, kjo është hera e parë që ai del jashtë Ukrainës, një vizitë që shënon tani një tjetër pikë kthesë në trajektoren e luftës.

“Armë , armë dhe më shumë armë“, është kërkesa e qartë  e Zelenskyt për amerikanët, një nga partnerët më të ngushtë në këtë luftë.

Kërkesës së cilës, shtetet e bashkuara iu përgjigjën me një tjetër paketë ndihmë që konsiston në 1.85 miliardë dollarë në armë, mes tyre edhe sistemin e raketave ‘Patriot’.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kjo ndihmë e re do t’i sigurojë Ukrainës një mbrojtje të zgjeruar ajrore dhe aftësi për goditje precize, sidomos falë raketave patriot. Diplomati më i lartë amerikan tha se kjo mbështetje e re vjen pasi Kremlini “ka provuar dhe ka dështuar të fshijë Ukrainën nga harta” .

Blinken përsëriti se SHBA do të vazhdojë “të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të duhet, në mënyrë që Kievi të vazhdojë të mbrohet dhe të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e negociatave kur të vijë koha”.

Zelensky tani pritet të mbajë një fjalim në kongresin  amerikan, ku edhe presidenti Biden do të japë më shumë detaje për ndihmën amerikane.

Ndërkohë larg Uashingtonit, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim ku pretendoi se Moska nuk është fajtore për luftën në Ukrainë.

Sipas tij konflikti është “rezultat i politikës së vendeve të treta” dhe jo për shkak të agresionit rus, ndërsa kishte një mesazh edhe për amerikanët, kur tha se Moska ka gati raketa të fuqishme që arrijnë  deri në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA