Si sot 20 vjet më parë, në 19 dhjetor të vitit 2002, lindi i pari emision i llojit të tij në mediat shqiptare, Fiks Fare.

Ai u ideua si një program i gazetarisë investigative, një emision kritik dhe problemor, i cili nëpërmjet humorit dhe satirës të denonconte dukuri negative të jetës sonë si korrupsioni, vjedhjet, shkeljen e ligjeve nga ana e zyrtarëve, shkeljen e të drejtave të njeriut etj. Fiksi  u krijua si një domosdoshmëri e mungesës së emisioneve të këtij lloji në mediat tona, për të kontribuar sadopak në zgjedhjen e halleve dhe problemeve që përballon vendi në ketë tranzicion të gjatë.

Fiks Fare ka ngritur dhe realizuar probleme të mëdha, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në opinionin publik shqiptar, por edhe në sektore të caktuar, duke I vënë në lëvizje dhe duke dhënë zgjidhje.

Fiks Fare sot funksionon si një institucion ku njerëzit denoncojnë të gjitha padrejtësitë që u bëhen dhe ku rrëfejnë problemet e tyre, duke e parë këtë emision si mundësinë e vetme të zgjidhjes së tyre.

Por këtë nuk e mendojnë vetëm qytetarët e  shikuesit besnik të emisionit, por dhe vetë politikanët. Madje urimet e tyre nuk mund të mungonin në këtë 20 vjetor.

Ilir Meta përveç urimit të përzemërt  nuk harroi të shprehej se Fiksi ishte mundësi për reflektim për të gjithë.

Ndërsa Monika Kryemadhi  cilësoi se dy dekada janë shumë  për një shoqëri që të besojë në gazetarinë investigative, sidomos kur nuk funksionon drejtësia.

‘Opozita e vendit’  e cilësoi Taulant Balla Fiksin në urimin e tij.  I vetmi emision që çdo minutë e tij ka peshë të caktuar dhe shpesh herë ka bërë atë që nuk ka bërë dot opozita.

Grida Duma shkon edhe më tej me urimin e saj  duke u shprehur se kjo ditëlindje nuk është festë vetëm e Fiksit , por i të gjithë publikut, si gjeneza e investigimit në vend. ” Të bashkosh investigimin, hetimin me satirën dhe ta sjellësh tragjiken herë pas herë si komike, është dhuratë e madhe për një popull” – tha ajo.

Enkelejd Alibeaj uroi emisionin që të vazhdojë po në këtë rrugë , duke qenë kritik dhe objektiv  si në këto 20 vite.

Urimeve iu bashkua edhe Erion Veliaj, ku me nota humori theksoi ‘bezdisjen’  nga emisioni, pasi sa herë që është me delegacione e mundohet të thotë diçka , “shoh rrotën e Fiksit dhe them, thuaj gjithmonë të vërtetën se e  mban mend më kollaj”.

Në këto 20 vite denoncimet , skandalet , problemet që ka trajtuar Fiksi nuk kanë të numëruar, duke u zgjeruar nga sezoni në sezon. Pas nuk kanë mbetur zgjidhjet e panumërta  që ky emision u ka dhënë qytetarëve të shumtë.

Dhe pikërisht për punën e palodhur të stafit drejtues , gazetarëve, operatorëve të gjithë stafit mbështetës sot Fiks Fare është ky që është, emisioni investigativ më i ndjekur në vend dhe diasporë.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA