SPAK kapi cironkat, jo peshkaqenin/ Etleva Kondi u burgos për “fatura hoteli” nga Zoto, Ahmetaj nuk u prek

19/12/2022 19:20

Postulati “Ligji është i barabartë për të gjithë” duket se nuk zbatohet nga prokurorët që kanë në dorë hetimin e dosjes së inceneratorëve. Për Arben Ahmetajn, ligji në duart e prokurorëve të inceneratorëve, nuk është aq i barabartë.

Në dosjen voluminoze për këtë aferë prokurorët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për fakte dhe prova të njëjta. Zbërthimi i email-it të të shpallurit në kërkim, Klodian Zoto, nxori në pah se si ishin korruptuar zyrtarë shqiptarë me bileta avioni dhe prenotime dhomash në hotele luksoze.

Këto dy email, dërguara nga Klodian Zoto në shkurt të vitit 2016 Etleva Kondit ku i komunikohet prenotimi në Booking i një dhome hoteli dhe tek e-maili tjetër biletat e avionit me Alitalia u konsideruan si provë nga prokurorët dhe kërkuan masë shtrënguese arrest me burg.

Kondi ishte ish-drejtoreshë në Ministrinë e Energjetikës në kohën kur ky institucion drejtohej nga Damian Gjiknuri dhe po ashtu anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për inceneratorët. Prej prillit të këtij viti ajo është pas hekurave.

Mes e-maileve të shkëmbyera mes Zotos dhe Kondit është dhe një e-mail i dërguar në nëntor të vitit 2014, ku Etleva i shkruan Zotos të shohë ndryshimet dhe Ministri i Financave është i detyrueshëm për të bërë të mundur fitimin e koncesionit.

Pavarësisht kësaj indicie që lidh Klodian Zoton me Ministrinë e Financave, por dhe provave të tjera të nxjerra nga i njëjti kompjuter ku Zoto “gostiste” ish-ministrin Arben Ahmetaj me ture turistike e suita, prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim sikur këto prova të mos ekzistonin.

Për Etleva Kondin mjaftoi një rezervim hoteli për ta arrestuar ndërsa për Arben Ahmetajn nuk mjaftuan, edhe pse bëhet fjalë për disa prenotime hoteli me një vlerë totale mbi 10 mijë euro që ka paguar Klodian Zoto në favor të ish-ministrit të Financave.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel