Momente të festës masive në Argjentinë ku 1 milionë vetë mbushën rrugët e Buenos Aires për Kupën e Botës (fotot)

19/12/2022 15:36

Mediat vendase thanë se më shumë se 1 milionë njerëz mbushën mbrëmë rrugët e Buenos Aires për celebrime masive gjatë natës, pas fitores së Kupës së Botës me goditje penalltish ndaj Francës.

Vendi amerikano jugor u shpall kampion bote për herë të parë që prej vitit 1986.

Në ndeshjen e paparashikueshme në stadiumin Lusail të Katarit me rreth 88,000 vende, Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi fitoi kupën e tretë të botës duke mundur kampionët në fuqi Francën.

“Nuk arrij ta besoj! Ishte e vështirë por ia dolën falë Messi,’ thotë tifozi 13 vjeçar Santiago, duke celebruar me familjen e tij në Buenos Aires.

Me flamurë kapelet dhe veshjet e bardha e bojëqielli të flamurit kombëtar, argjentinasit kishin mbushur sheshet e njohura të Buenos Aires menjëherë pas mbylljes së ndeshjes.

Pamjet tregonin tifozët që përqafoheshin, këndonin e qanin në sheshin e Obeliskut pas mbylljes së ndeshjes dramatike.

Vendi fitoi herën e fundit kupën në 1986 dhe më herët në 1978, por ka humbur finalet në 1930, 1990 e 2014.

“Kur vuan për të fituar diçka, kënaqësia është akoma më e madhe”, tha 45 vjeçari Fabio Villani, duke shtuar se ende nuk e besonte se kupa ishte fituar nga vendi i tij.

“Të vuash për diçka është në karakterin e Argjentinës”, konfirmonte dhe Maria Isabel Ayala, parukiere 53-vjecare. “Nëse vuajmë për diçka kjo është sepse e ndjejmë vërtet në zemër”, shtoi ajo.

FOTO GALERI
9/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA