Protesta e së dielës në anën serbe të pikës kufitare të Jarinjës ka alarmuar institucionet në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla thotë se Beogradi po përdorë aktorë të ndryshëm përfshirë këtu edhe Damjan Knezheviç nga grupi paramilitar rus Wagner me synim cenimin e sovranitetin e Kosovës dhe të nxisin provokime agresive në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për protestën e një dite më parë tha se nuk ishte civile, meqë pjesëmarrësit ishin edhe të armatosur, ndërkohë që shtoi se qëllimi kryesor është destabilizimi i Kosovës.

Përfshirjen e grupeve kriminale në protestën në anën serbe të Jarinjës e ka konfirmuar edhe KFOR-i.

Njohësit e sigurisë thonë që rreziku më i madh vjen nga këto grupe që tashmë ndodhen brenda territorit të Kosovës.

Tash e dhjetë ditë rrugët për në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak mbetet të bllokuara nga serbët që kundërshtojnë arrestimin e ish-policit Dejan Pantiç dhe të tjerëve. Institucionet e Kosovës deklarojnë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e tyre.

 

Top Channel