Irani po shpërndan informacione të rreme në Shqipëri, burimi: Shërbimet sekrete kanë kontaktuar me mediat

19/12/2022 19:08
Hassan Hyeran

Autoritetet ligjzbatuese shqiptare janë duke hetuar një tentativë të ditëve të fundit të Iranit për të shpërndarë informacione të rreme në Shqipëri.

Një burim i Top Channel në SHISH shpjegoi se shërbimet sekrete të Iranit kanë kontaktuar përmes whatsapp disa gazetarë shqiptarë.

Një person e cila pretendon se është motra e Hassan Hyeranit ka nisur të kontaktojë mediat shqiptare me pretendimin se vëllai i saj, po keqtrajtohet dhe mbahet 24 orë në izolim.

Përmes gazetarëve shqiptarë, kërkohet të përhapen lajme të rreme, në lidhje me ndalimin e disa ish pjesëtarëve të MEK nga autoritetet e emigracionit.

Burimi i Top Channel theksoi se: Për arsye të sigurisë kombëtare prej më shumë se një muaj në qendrën e pritjes të emigrantëve në Karreç, mbahen disa prej personave të cilët me vullnetin e tyre janë shkëputur nga MEK.

Mësohet se pas konsultimeve me partnerët është mbërritur në përfundim se ekzistojnë rrethana dhe informacione se këta persona po përdoreshin nga Irani kundër MEK.

Disa muaj më parë SPAK për llogari të një hetimi lëshoi 13 urdhra kontrolli banese për personat e larguar nga MEK.

Top Channel