Viti i ardhshëm do të nisë me një çështje me rëndësi për politikën, për të cilën janë përplasur jo pak, opozita me qeverinë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim në seancë plenare kërkesat e opozitës për t’i hequr mandatin e deputetes, ministres së Punëve te Jashtme, zonjës Olta Xhaçka.

Kushtetuesja ka vendosur që seancat për çështjen Xhaçka të çelen në datën 18 janar 2023, ku brenda të njëjtës ditë do të trajtohen dy padi, në të dyja palë e paditur Kuvendi dhe deputetja Xhaçka. Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.

Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi. Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit te ministres së Ramës janë njësoj sikur të ishin të rregjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet te vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Vetë Ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.

Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të zonjës Xhaçka. Për rastin e shpalljes investitor strategjik të bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka, grupi parlamentar i PD, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, ka kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Investimet Strategjike.

Por megjithëse kanë kaluar 6 muaj nga ky denoncim Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me çështjen e radhës të politikës.

Top Channel