Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se situata në veri të vendit është e tensionuar si rezultat i panikut të Beogradit.

Ai ka thënë se qeveria e tij është e shqetësuar, por e kujdesshme për situatën aktuale.

“Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po i bëjnë presion të madh Serbisë të zgjedhë mes Perëndimit demokratik dhe Rusisë”, ka thënë Kurti në intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel”.

Ndërsa sa i përket kërkesës së Serbisë për kthimin e 1000 ushtarëve e policëve serb në Kosovë, Kurti  ka thënë se “Vuçiçi po synon të kthehet në të kaluarën, por kjo është e pamundur”.

“…Ky tren ka ikur. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të deklaratës sonë të pavarësisë. Nuk ka gjykatë më të lartë në këtë planet”, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër KFOR ka njoftuar se në ditët në vijim do të nisë stërvitjet e rregullta ushtarake pranë bazës së saj në Novosellë.

Sipas njoftimit thuhet se kjo stërvitje synon që pjesëtarët e KFOR-it të jenë të përgatitur për të reaguar ndaj krizave. KFOR thekson se është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Top Channel