Argjentina apo Franca? Messi apo Mbappe? Amerika Latine apo Europa?

Të gjitha dilemat do të marrin fund pasditen e sotme, me Botërorin e Katarit që do të ulë siparin e një muaji magjik, pikërisht me finale e madhe Argjentinë-Francë, e cila do të startojë në orën 16:00.

Një Botëror i pazakontë, i luajtur në një periudhë dimri, por me temperatura verore në Katar, aty ku organizimi në kufijtë e perfektes e ka bërë edhe më të bukur spektaklin e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit në glob.

Megjithatë jemi në momentin e epilogut dhe bota mezi pret të mësojë “mbretëreshën” e 4-vjeçarit të ardhshëm, me Francën që do të kërkojë të ruajë fronin dhe Argjentinën që nuk ngjitet aty prej 1990-ës, kur ia dorëzoi Gjermanisë.

Të dy skuadrat kanë bërë një rrugëtim të vështirë e të komplikuar, por ia kanë dalë në vijnë në finalen e madhe me meritë dhe tani janë gati për sforcimin e fundit, në mënyrë që të shkruajnë emrin në histori.

Ky është padyshim Botërori i fundit për Lionel Messin, një yll futbolli që ka fituar thuajse gjithçka, por i mungon një Kupë Bote dhe natyrisht një sukses në Katar do t’ia kompletonte një karrierë të shkëlqyer.

Në Argjentinë besojnë të gjithë që ky është viti i duhur, pas finales së humbur në 2014-n dhe të besuarit e Scalonit janë të gjithë të grumbulluar rreth Messit, duke pritur që magjitë e tij t’i ngjitin në majën e botës.

Nga ana tjetër Franca vjen me stofin e kampiones në fuqi dhe do të provojë të ruajë fronin, falë edhe formës fantastike të Kylian Mbappe e Antoinne Griezmann, që këtë Botëror kanë shkëlqyer, por mbi të gjitha falë pjekurisë së një skuadre që është gjithmonë në lojë dhe pret momentin e duhur për të rrëzuar kundërshtarin.

Të dy skuadrat e kanë fituar nga 2 herë Kupën e Botës dhe mbrëmjen e sotme njëra prej tyre do të ngjitet në kuotën e tre trofeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA