Policia në Zelandën e Re u merr beben prindërve që refuzuan gjak ‘të vaksinuar’ në trajtimin mjekësor (video-fotot)

16/12/2022 19:40

Një video dramatike është publikuar sot ku shihen momentet kur autoritetet u marrin me forcë beben prindërve në shtëpi, për ta vendosur nën kujdesin e mjekëve, pasi ata refuzuan transfuzion me gjak ‘të vaksinuarish’ para një operacioni të rëndësishëm.

Rrjeti britanik Daily Mail shkruante se ajo që quhej nga mediat vendase si “pengmarrje mjekësore” u krye pas vendimit përkatës së gjykatës, pas shqetësimeve të prindërve anti-vaksinë për gjakun e përdorur në transfuzion.

Pamjet tronditëse të episodit tregojnë prindërit e shokuar që përpiqen më kot të ndalojnë zyrtarët teksa bebja u merret nga stafi i spitalit. Babai i bebes bën thirrje që njerëzimi “të ngrihet” përballë sjelljes.

“Ju djema do të mbeteni në histori si kriminelë që merrni bebet nga nënat e tyre”, thotë babai i fëmijës teksa një administrator e informon ate se nëna mund të takojë beben pas operacionit.

Pas episodit shokues babai flet në kamera: “Nuk e di nëse kjo ndodh dhe në vende të tjera të botës, por kjo ishte një pengmarrje mjekësore e fëmijës tonë”.

“Në shtëpi erdhën rrugaçë me uniforma policie dhe morën beben nga krevati i saj. Le të jetë ky një mësim për pjesën tjetër të njerëzimit, marrja e kontrollit ka nisur, ka nisur me një bebe në një repart spitali”.

“I bëj thirrje njerëzimit të ngrihen, sepse e dini çfarë ju pret”.

Pamjet e incidentit qarkullonin në internet pasi u postuan fillimisht në rrjetin Rumble.com, shkruan Daily Mail.

Prindërit përfaqësohen nga avokatja dhe aktivistja e njohur anti-vaksina Sue Grey, e cila tha se  “ata kanë etiketuar klientët e mi si ‘konspiracionistë’ dhe me këtë injorojnë çdo kërkesë të tyre”.

E përditshmja vendase  NZ Herald reports thotë se dy prindër të tjerë neo-zelandezë kanë kërkuar gjak të pavaksinuarish për transfuzionin e fëmijës së tyre me problem në zemër, bazuar ne besimin e pabaze se vaksinat janë te kontaminuara me përbërës toksike.

FOTO GALERI
1/3
Pamjet tronditëse të episodit tregojnë prindërit e shokuar që përpiqen më kot të ndalojnë zyrtarët teksa bebja u merret nga stafi i spitalit

Top Channel