Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it dërguar Radios Evropa e Lirë.

“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.

Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi bënë të ditur se kanë vendosur që t’i drejtohen KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se është e qartë se kërkesa do të refuzohet.

Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka konfirmuar se KFOR-it i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

“Para pak kohësh e njoftova presidentin e Republikës dhe kyeministren se Forcat e Armatosura të Serbisë, gjegjësisht Komisioni për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, ka dorëzuar këtë në mëngjes, para orës 11:00, në vijën administrative afër Merdarit, në formë të shkruar, vendimin e Qeverisë”, së Serbisë, ku u shtua se janë dërguar të gjitha dokumentacionet e nevojshme.

Kërkesa e Serbisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb, disa serbë lokalë ngritën barrikada, duke bllokuar rrugët kryesore që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka thënë se Uashingtoni “në mënyrë kategorike” është kundër dërgimit të trupave serbe në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA