Fiks Fare në rubrikën e saj “Gju më gju me popullin” udhëtoi drejt Gjirokastrës , përkatësisht në fshatrat  Nepravishtë dhe Labovë e sipërme.

Të dy këto fshatra janë pjesë e  projektit “100 fshatrat turistik” , por  vetëm me tabela, pasi në terren ka 0 investime.

Projekti i 100 fshatrave turistikë vijon të lërë në harresë zonat e përzgjedhura si pika kyçe për tërheqjen e turistëve. Ky projekt  do t’i shndërronte këto 100 fshatra jo vetëm në destinacione të rëndësishme turistike, por edhe në përthithëse të fondeve për infrastrukturën dhe zhvillimin.  Fiksi udhëtoi drejt  Nepravishtës dhe Labovës së Sipërme për të parë nga afër se çfarë ka ndryshuar në këto zona.

Në  Nepravishtë Fiksi takoi banorët të cilët i pyeti sesa ky fshat vizitohet nga turistët dhe çfarë investimesh janë bërë. Banorët të gjithë flasin se nuk ka asnjë investim, turistët i kanë parë me kokrra  të cilët  vizitojnë Teqen e Milanit. “Po këtu nuk ka as edhe një investim , rrugën që shihni ka mbi 20 vjet e kusur që është shtruar” pohon njëri prej banorëve”. Në këmbë vijnë dhe ata mavritë me biçikleta, ata janë më të shkundur se ne” tregon një tjetër.

E njëjta situatë është e dhe në fshatin Labovë e Sipërme në Bashkinë Libohovë.  Edhe ky fshat mban shumë histori dhe monumente kulture, por që sipas banorëve përveç dy tabelave të gabuara asgjë nuk është investuar në katër vitet e fundit.  “Nuk është bërë asgjë, përveç dy tabelave, por edhe ato nuk janë tonat“, shprehet një banor… “Harta nuk është e fshatit tonë dhe fotot e kishës nuk janë tonat”.

Edhe banorët në këtë fshat ankohen për rrugën. “Për shkak të rrugës nuk na vijnë vijnë as fëmijët të na shohin më”- pohon një tjetër banor i moshuara, pasi në fshat vetëm ata kanë ngel. Kishën e fshatit ata pohojnë se e kanë restauruar vetë me kontributet e fshatarëve dhe të emigrantëve. Madje vetë  fshati po rregullon edhe godinën e ish Vartës së Kulturës për ta patur për ceremoni të ndryshme.

Pra, në këto fshatra nuk është bërë asnjë investim  dhe projekti 100 fshatrat turistikë  ka mbetur thjesht në letër.

 

 

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA