Dënimi i Mustafës, reagon Haradinaj: Besoj me forcë në pafajësinë e UÇK-së!

16/12/2022 19:50

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe vetë një ish lider i UCK-së, reagoi pas  dënimit të ish-komandantit Salih Mustafa me 26 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Komenti i Haradinajt ishte i qartë. “Unë besoj me forcë në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër! Dënimi sotëm i Salih Mustafës është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpresoj të marrë një epilog tjetër për lirinë e tij, siç ka ndodhur në plot raste të tjera, që dënimet drakoniane janë rikthyer në pafajësi”, ka shkruar ai.

Haradinaj vete pati dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit në 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës për shkak të aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Gjykata e Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë. Katër vjet më vonë, po në Hagë u bë rigjykimi i tij, dhe në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte.

Në vendimin e parë të saj, Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Trupi gjykues tha se Mustafa ka marrë pjesë personalisht në rrahjen dhe torturimin e të paktën dy të burgosurve dhe i lejoi vartësit e tij të keqtrajtonin një tjetër aq rëndë sa ai vdiq më vonë.

 

Top Channel