Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën, e cila do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiq ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.

Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiç ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.

Ai pretendon se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Më 12 dhjetor Vuçiç tha se KFOR-it do t’i kërkohet dërgimi i deri në 1.000 trupave në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 13 dhjetor, ka deklaruar se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA-ja, dhe se shteti i tij kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me këtë paralajmërim, Serbia po “kërcënon me agresion” Kosovën.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Më 15 dhjetor, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it me kërkesën që forcat serbe të sigurisë të kthehen në Kosovë, por sipas tij, kjo është çështje politike, prandaj edhe kërkon zgjidhje politike.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit, teksa serbët lokalë më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri të Kosovës. Ata po kundërshtojnë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave, ndërkaq Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel