Argjentinë-Francë është finalja e Katar 2022, me të dyja kombëtaret që janë në kërkim të titullit numër tre.
Në të dyja organikat, si në atë të Lionel Scalonit, ashtu edhe në atë të Didier Deschamps, yjet nuk mungojnë, por sigurisht ata që shkëlqejnë më shumë dhe marrin vëmendjen më të madhe janë Lionel Messi dhe Kylian Mbappe. Si për koniçidencë, të dy lojtarët mbërrijnë në finale me nga pesë gola të shënuar dhe sigurisht brenda sfidës Argjentinë-Francë, është edhe sfida e vogël mes Messit dhe Mbappe.
Tashmë, dyshja janë shokë skuadre te PSG, mirëpo në të kaluarën kanë pasur edhe ato duelet e tyre edhe pse jo të shumtë pasi bëhet fjalë për vetëm dy përballje si kundërshtarë. Duele që janë fituar nga Mbappe teksa e para është pikërisht një sfidë Botërori. Para katër viteve në Rusi, luhej Francë-Argjentinë, ndeshje e vlefshme për fazën e 1/8-tave me “Gjelat” që triumfuan me rezultatin 4-3, teksa Mbappe shënoi dy gola dhe fitoi një 11-metërsh duke fituar duelin e tij në distancë me Messin.
Ndërkaq, ballafaqimi i dytë ishte në Champions League-n e sezonit 2020-2021, kur PSG e Mbappe eliminoi Barcelonën e Messit. Në dy takimet mes francezëve dhe spanjollëve, sulmuesi 23-vjeçar shënoi katër gola duke lënë “thatë pleshtin”. Histori që Messi me siguri nuk i ka harruar dhe tashmë në ndeshjen e tij më të rëndësishme do të kërkojë me shumë mundësi edhe “hakmarrjen” personale ndaj Kylian Mbappe./ Super Sport
Top Channel