Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të prokurorisë së posaçme SPAK ka tensionuar marrëdhënien mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim.

Analisti Berat Buzhala e konsideron normale ndërhyrjen e amerikanëve në procesin për zgjedhjen e SPAK dhe si argument thotë se “është normale në situatën ku ndodhemi sot”.

“Është normale duke ditur situatën në Shqipëri. Yuri Kim mund ta ketë gabim, Rama mund ta ketë gabim… E sigurt është që Kim nuk ka interesa financiare në Shqipëri. SHBA nuk ka përfitime në vendin tonë (si Rama)”,

Analisti Arjan Curri thotë se Prokuroria e Posaçme nuk është e pavarur:

“Për mua qëndron i varur, i varuar nga ameikanët apo Rama është çështja. Nëse një prokuror që ka integritet, kur nuk i shkon kryeministrit kur e thërret, a ka më integritet kur i shkon ambasadores kur e thërret. Për mua nuk ka!”

Në debatin në studion e Top Story, Buzhala shprehet që SPAK është më mirë të ndikohet nga SHBA se sa nga qeveria jonë:

 “Kryeministri dhe ambasadorja, një nga këta të dy po influencojnë zgjedhjet. Tani, ne duhet të zgjedhim opsionin më të mirë. A ka fituar ndonjë tender Kim? Po Rama? Të Ramës ti numëroj unë me dhjetëra. Nga kush duan shqiptarët që të zgjidhet prokurori?”

Ndërkohë Curri ngre pyetjen se “çfarë e shqetëson ambasadoren Kim, kur prokurorët kanë dalë nga reforma në drejtësi”:

“Ambasadorja amerikane thotë se ka indicie që procesi po manipulohet, por një nga këta të tre do të zgjidhet. Të tre prokurorë të SPAK janë. Nëse një nga ata është i korruptuar, atëherë ku është rezultati i reformës? Pse është e shqetësuar Kim?”

Këtë të premte pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion.

Këshilli i Lartë i prokurorisë duhet të një zgjedhë 1 prej 3 kandidatëve Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Për këtë proces, ambasadorja amerikane ka përsëritur kërkesën e SHBA-së që politika të qëndrojë larg të influencuarit në zgjedhjen e një kandidati preferencial.

Reagimet kanë qenë të njëpasnjëshme nga kryeministri Edi Rama, i cili pas statuseve në Twitter të Kim, ka postuar twett-et e tij, me kërkesën se edhe ndërkombëtarët duhet të qëndrojnë larg këtij procesi.

Top Channel