Fiks Fare/ Makina të reja? Dogana vendos çmime reference që pengojnë qytetarët të sjellin mjete të reja!

15/12/2022 20:45

Një qytetar u ankua në Fiks Fare se Dogana ka vendosur çmime reference për automjete me vitprodhimi pas vitit 2012.

Ai ka gjetur një automjet për 7500 euro në Zvicër, por i duhet të paguajë doganë për atë automjet sikur e ka blerë mbi 10 mijë euro. Kjo për shkak se Dogana Shqiptare, pavarësisht sa i blejnë qytetarët shqiptarë këto mjete, ka vendosur “çmime reference”, duke mos njohur kontratat e shitblerjes së vendeve perëndimore.

Për emisionin investigativ, qytetari tha se “kam gjetur në Zvicër një mjet ‘Jeep Compas’, 2360 kubikë. Është i vitit 2013. E kam gjetur për 7500 euro. Dhe paraprakisht pyes në Doganën Shqiptare sa më shkon dogana. Më thonë ti e ke gjetur 7500 euro, por ne kemi çmimin e referencës që është 10 mijë euro. Dhe pastaj nëse makina është në gjendje të mirë, ngelet në dorë të doganierit ta vlerësojë se mund ta çojë edhe 12 mijë euro” thotë ai.

Më tej pohon se çmimin e referencës e ka vendosur dogana me një udhëzim të Ministrisë së Financave. “Mua më duket absurde se del një doganier shqiptar dhe thotë unë jam më i saktë sesa shteti zviceran. E kam gjetur nëpërmjet ‘Auto Scaut’-it. Unë nuk e njeh zviceranin dhe s’po më bën ndonjë favor. Nëse do ishte vlera 7500 euro sa e kam gjetur do të paguaja, se merret parasysh 80 % e vlerës, 1 milionë e 200 mijë lekë” pohon qytetari. Po me çmimin e referencës 10 mijë euro?! “Nëse doganieri do lërë çmimin e referencës, po ai mund ta vendosë 12 mijë, unë do paguaj mbi 2 mijë euro” vijon ai, ndërsa bëhet fjalë për të gjitha makinat brenda 10-vjeçarit të fundit, që kanë çmim reference 10 mijë euro e sipër, më poshtë nuk e zhdoganon dot.

“Çmimi i referencës për automjete mbi 10 vjet është 325 mijë lekë të reja (2800 euro), pavarësisht faturës që mund të kem unë. Nëse fatura është më e lartë e marrin parasysh. Nëse është më e ulët s’e marrin parasysh” thotë qytetari. Po politikat me makinat e reja të qeverisë që duan makina të reja?! “Kjo është komplet e kundërta dhe është absurde se na del një doganier, një punonjës administrate del më i zoti sesa shteti zviceran. Që mund të abuzosh. Unë i bie që të bëj të gjithë përpjekjet që të ul faturën të paguaj sa më pak” përfundon ai.

Pas ankesës, gazetarët e Fiksit shkojmë te Dogana e Tiranës për të pyetur për procedurat. Disa punonjës të agjencive doganore në Prezë thonë se janë çmime reference dhe duhet të paguash 20 % të vlerës së çmimeve. Por, na saktëson se nëse janë automjete me vit prodhim më të hershëm se të 10-vjeçarit, duhet të bëhet fatura sa më pak. Por, makinat i vlerësojnë doganierët dhe mbi këtë bazë duhet të zhdoganohen.

Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ky institucion na ktheu përgjigje se vlera doganore përbëhet nga vlera e blerjes së mjetit, por edhe nga rregullimet e mundshme kur është e nevojshme. Pra, kanë “dorë të lirë” doganierët, të cilët mund ta vlerësojnë më shumë sesa e ka blerë qytetari në faturë. “Në rast se mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme nuk mund të përcaktohet vlera doganore, atëherë veprohet në bazë të mënyrave të tjera të vlerësimit doganor” thotë Dogana.

Nga kjo përgjigje duket mjaft qartë se doganierët nuk njohin faturat e mjeteve, të cilat janë fatura nga vendet perëndimore. Ndërkohë, Fiksi e pyeti doganën edhe për çmimet e referencës. Në këtë përgjigje, dogana pranon se ka çmime të tilla reference. Dhe, nëse zbatohet çmimi i referencës për mjetin e qytetarit, i cili ishte Jeep Compas 2360 kubikë, ai duhet të paguajnë plot 325 mijë lekë të rinj. Ose rreth 2800 euro. Pra, sa 1/3 – ta e vlerës së blerjes së mjetit nga qytetari.

Në të njëjtën përgjigje, Dogana shkruan se çmimet e zhdoganimit të makinave të 10 vjeçarit të fundit bazohen te forca motorike. Shumat variojnë nga 130 mijë lekë të rinj për makinat me motor deri 1400 kubikë, 325 mijë për automjete deri në 2500 kubikë, 400 mijë lekë deri në 3000 kubikë. Për automjete deri në 4500 kubikë, qytetarët duhet të paguajnë 500 mijë lekë, ndërsa për mbi 4500 kubikë jo më pak se 800.000 lekë.

Por, çfarë mjetesh qarkullojë në Shqipëri?! Një specialist i i Drejtorisë së Transportit Rrugor thotë se në Shqipëri janë mbi 500 mijë mjete që kanë dokumente. Mosha e mjeteve me vit prodhimit pas vitit 2010 është vetëm 13 % . “Aktualisht, në Shqipëri lejohen të importohen mjete euro 4, ose mjete me vit prodhimi pas muajit shtator të vitit 2004” thotë ai. Ndryshe nga Dogana, një automjet i ri ka më pak taksa sesa një automjet i vjetër, pasi është koeficienti i vjetërsisë. Në 10 muajt e vitit 2022 (janar-tetor) janë futur për herë të parë 45 mijë mjete, nga të cilat 37 mijë janë autovetura. Vitet e prodhimit pas 2010-ës janë rreth 42 %, rreth 20 mijë mjete.

Top Channel