Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dorëzuar sot në Pragë zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar 15 dhjetori si një ditë historike për popullin e Kosovës dhe demokracinë në Evropë.

“Letra që sot kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur këtë ditë. Flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së me të cilin ndajmë vlerat e njëjta.  Ne e dimë që janë nevojitur afate të ndryshme për vende të ndryshme që nga Finlanda e Suedia që u janë dashur 3 vjet deri te Malta e Qipro që janë dashur 14 vjet, një mesatare prej 9 vjetësh është reale për Kosovën që të paguaj këtë mesatare”, tha Kurti.

Ndërsa sa i përket pengesës që mund të paraqesin pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Kurti tha se kur Kosova e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit, pesë shtetet ishin dakord.

“Nuk besoj se pakica e shteteve anëtare të BE-së që ende nuk njohin pavarësinë tonë do të jenë kundër bashkimit tonë në familjen evropiane”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Mikulash Bek, tha se e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Një ditë më herët, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si “hap historik” për Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA