Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian kanë arritur marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajmi është përcjellë përmes një deklarate për shtyp të PE-së. Në 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të bllokut europian ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Europian.

Në emër të Parlamentit Europian, negociatat i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, eurodeputeti holandez Thijs Reuten.

“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi europian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, jo më vonë se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në njoftim.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin pa viza ne territorin e bllokut europian. Tani, sipas Reuten, në në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë.

Tani ujdia duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare. Pas kësaj konfirmohet nga Këshilli i BE-së. Kjo marrëveshje konsiderohet sukses i Presidencës Çeke të Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA