Teoritë ‘e makthit’ për shtëpinë më të vetmuar të botës, në ishullin e pabanuar të Islandës (fotot)

13/12/2022 17:30

Me të drejtë duket e rrethuar nga misteri ajo që njihet si “shtëpia më e vetmuar në botë”, që qëndron e izoluar në një ishull të vogël të pabanuar prej gati 100 vjetësh.

Në disa foto spektakolare nga ishulli shihet shtëpia e bardhë në faqen e një kodre në Elliðaey – një ishull i vogël shkëmbor në jug të Islandës.

Gjatë shekujve 18-të e 19-të, vendi piktoresk në verilindje të arqipelagut Vestmannaeyjar, strehonte disa familje, edhe pse i ekspozuar ndaj të gjithë elementëve atmosferikë.

Por në vitet 1930-të, disa banorë të mbetur mblodhën plaçkat për t’u zhvendosur drejt tokës kryesore për një jetë më të mirë, shkruan The Sun.

Prej atëherë ishulli është i zbrazët dhe ka nxitur mjaft teori të pazakonta mes “gojëve të liga”.

Një prej zhurmave është se ai zotërohet nga milionerë të fshehtë që duan të kthejnë  Elliðaey në strehën e tyre, në rast të “apokalipsi të tipit zombi”.

Ndërsa të tjera sugjerojnë se shtëpia banohet tashmë nga eremitë fanatikë fetarë.

Por burimet zyrtare thonë se shtëpia e bardhë është ndërtuar ne fakt nga shoqata e gjahtarëve të Elliðaey e cila vjen për të vrarë zogjtë karakteristikë vendas ‘puffin’ që ushqehen me peshqit e bollshëm të ishullit.

Në vend nuk ka ujë të rrjedhshëm, rrymë elektrike apo instalime hidraulike.

Ishulli është i listuar si një rezervat natyror dhe zonë e mbrojtur, kryesisht prej përdorimit si vend i ngritjes së foleve nga zogjtë e shumtë nordikë detarë që jetojnë në zonë.

Disa kompani ofrojnë udhëtime ditore në ishull, për ata që duan të shikojnë pamjet spektakolare të ofruara.

FOTO GALERI
1/7
Ishulli është i zbrazët dhe ka nxitur mjaft teori të pazakonta mes “gojëve të liga”.

Top Channel