Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë aty për të katërtën ditë rresht, por nga zyra e Kryeministrit Albin Kurti thonë se kjo situatë nuk do të tolerohet gjatë.

Një këshilltar i Kurtit, i cituar nga shtypi vendas, është shprehur se nëse barrikadat nuk hiqen, atëherë do të kalojë në veprim Policia e Kosovës, në koordinim edhe me KFOR-in.

Pavarësisht se Kosova vendosi t`i shtyjë zgjedhjet në komunat me shumicë serbë në veri, në përpjekje për të zbutur kështu tensionet, pushteti serb, që vepron përmes Listës serbe atje, nuk e urdhëroi zhbllokimin e rrugëve. Diplomacia perëndimore ka bërë thirrje që të hiqen barrikadat, duke e fajësuar Serbinë për tensionimin e veriut dhe retorikën e përdorur.

President serb Aleksandar Vuçiç nga ana e tij, pretendon se nuk e ka dhënë ai urdhrin për vendosjen e barrikadave. Këshilltari i Kurtit,  Jeton Zulfaj, thotë se ato duhet të hiqen, para se të veprojë policia.

“I është dhënë një afat përpara se të hyjnë forcat e policisë e të hapin rrugën për të mundësuar lirinë e lëvizjes. I është dhënë hapësira KFOR-it në mënyrë që ta kryejnë ata fillimisht këtë mision, por e gjithë kjo po bëhet mes tij dhe autoriteteve të Kosovës”, shtoi këshilltari.

Rrugët janë bllokuar kryesisht me automjete. Ministria e brendshme e Kosovës sqaroi, pas insistimit të vazhdueshëm të zyrtarëve serbë, se asnjë dokument apo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ia ndalon Prishtinës zyrtare Kosovës që të dërgojë forcat speciale të policisë së saj në veri të vendit – zonë kjo e banuar me shumicë serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA