I biri shton në $35mln shpërblimin për gjetjen e vrasësve të dy prindërve miliarderë në Kanada (fotot)

13/12/2022 19:04

I biri i dy milionerëve në Kanada ka ofruar sot edhe 25 milionë dollarë kanadezë te tjere për informacion mbi vrasësit e prindërve të tij, në ngjarjen e rëndë të pesë viteve më parë.

75 vjeçari Barry Sherman e Honey Sherman, 70 vjeçe, u gjetën të mbytur në shtëpinë e tyre në Toronto dhe ngjarja mbetet ende pa autor, megjithëse ishin ofruar fillimisht $10 milionë për arrestimin dhe dënimin e vrasësve.

Shpërblimi total për këdo me informacion të vlefshëm, tani qëndron në 35 milionë dollarë.

Në deklaratën për mediat kanadeze në përvjetorin e pestë të vdekjes, Jonathan Sherman tha se “nuk është e mundur mbyllja e plagës derisa përgjegjësit e këtij akti djallëzor të nxirren para drejtësisë”.

Barry Sherman ishte një nga njerëzit më të pasur në Kanada si themelues i kompanisë farmaceutike Apotex, dhe bashkë me gruan Honey kishin bërë donacione të shumta për organizatat hebreje, spitalet e universitetet.

Pasuria e tyre llogaritej mes 5 e 10 miliardë dollarë.

Por policia ende nuk ka përmendur të dyshuar për vrasjen e profilit të lartë të 15 dhjetorit 2017.

Në janar 2018, gjashtë javë pas gjetjes së trupave, policia tha se çifti ishin viktimë e një vrasjeje të dyfishtë, të shënjestruar.

Katër fëmijët e rritur të çiftit hebre kanë kritikuar më parë policinë e Toronto për mungesën e transparencës në hetime dhe kanë pajtuar hetues privatë për vrasjen.

I biri i Sherman tha se ngjarja ka qenë një makth.

“Kjo dhimbje është e përditshme teksa kuptoj se dy fëmijët e mi nuk i njohën kurrë gjyshërit. Ata meritonin të shijonin frytet e punës së tyre dhe të shijonin ditet e pleqërisë  me familjen e tyre,” tha ai.

Autopsia zbuloi se çifti kishin vdekur nga presioni i një filli në qafë, ose të mbytur nga një material i ngjashem.

Asokohe krye-hetuesi Brandon Price, tha se individi i dyshuar kishte hyrë në një “zonë të përcaktuar mirë pranë pronës së Sherman-ëve” natën e 14-15 dhjetorit 2017 – kur policia beson se ndodhën vrasjet e milionerëve.

Price tha: “Kemi këtë individ që hynë në një zonë të përcaktuar mirë … ai ka qenë aty për një periudhë të caktuar dhe më pas është larguar”.

“Ne nuk kemi gjetur qëllimin që një person të jetë aty, prandaj besojmë se veprimet e tij janë të dyshimta”.

I dyshuari besohet se është nga 1.70 deri në 1.90 i gjatë me një ecje të veçantë, por ata nuk mudn të përcaktonin gjininë, moshën  apo ngjyrën e lëkurës.

Prej atëherë policia ka kryer më shumë se 250 intervistime të viktimave, ka ndjekur 1,255 informacione të marra nga publiku dhe ka ekzekutuar 41 kontrolle.

FOTO GALERI
1/4
Jonathan Sherman tha se shpërblimi total për këdo me informacion të vlefshëm, tani qëndron në 35 milionë dollarë.

Top Channel