“Hotele me 5 yje në Francë e Gjermani”/ Publikohen të tjera dokumente ku Zoto paguan për Ahmetajn, Gazetari: Përse hesht Meta, Kryemadhi e Basha?

13/12/2022 15:06

Gazetari Adriatik Doci ka denoncuar sërish sot përmes dokumenteve, të tjera pagesa të kryera nga Klodian Zoto, i shpallur tashmë në kërkim, ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe bashkëshortes së tij.

Këtë here gazetari Adriatik Doçi, ka publikuar pagesat që Zoto ka kryer me kartën e tij bankare, për ish ministrin Ahmetaj në hotele me 5 yje të Francës dhe Gjermanisë.

Dokumentet mbajnë datën e rezervimit si edhe pagesën e kryer për ditët e qëndrimit në hotelet përkatëse.

Por ndërsa akuzon dy prokurorët, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho se mbyllën sytë ndaj hetimit, në postimin e tij në facebook, ai shtron një pyetje edhe për figurat kryesore politike të opozitës: Mirë dy prokurorët, po Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, flamurtarët e kauzës së inceneratorëve, pse vallë e kanë kyçur gojën?

Postimi i plotë:
Pagesat e tjera të Zotos për ‘harbimin’ e Ahmetajt në hotelet me 5 yje të Francës dhe Gjermanisë. Dy prokurorët mbyllën sytë. Po Monika dhe Basha pse e kanë kyçur gojën?
Këto janë dy rezervimet e radhës të Klodian Zotos së inceneratorëve në hotele me 5 yje, këtë herë në Gjermani dhe Francë, për t’u akomoduar Arben Ahmetaj me bashkëjetuesen e tij Erjola Hoxha.

Në 13 gusht 2015, Zoto paguan 3 500 euro që Arben Ahmetajn të qëndrojë tre ditë në Hotelin Belles Rives, dhoma 083, në një zonë bregdetare të Francës. Ahmetaj ka shijuar për 3 net shërbimet ekstra të këtij hoteli bashkë me Erjola Hoxhën.

Hoteli ndodhet pranë një marine jahtesh. Sigurisht nuk mungojnë as kazinotë, një pasion i hershëm i Tigrit.

Në 11 tetor 2016, Erjola Hoxha akomodohet në hotelin Jumeirha, në Frankfurt të Gjermanisë. Pronotimi është bërë nga Klodian Zoto me kartën e tij të kreditit.
Dy pagesat korruptive konsolidojnë më tej raportin mes pronarit të kompanisë koncensionare të inceneratorëve Klodian Zoto dhe ish ministrit Arben Ahmetaj.

Ahmetaj ka firmosur për procedurën koncensionare të inceneratorëve më 14 prill 2014, kur ishte ministër i Energjitikës.
Më pas Zoto i ka ‘kthyer reston’, duke i paguar çlodhjen në hotele me 5 yje.

Dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Klodian Braho, duket se kanë mbyllur sytë përballë këtyre provave.
Mirë dy prokurorët, po Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, flamurtarët e kauzës së inceneratorëve, pse vallë e kanë kyçur gojën?

Top Channel