Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës, javën e shkuar lajmëroi se kishin nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores amerikane.
Ky njoftim i paprecedentë i Ministrisë së Jashtme, aq më shumë për ambasadoren amerikane, në fillim u duk si shaka hakerash në Twitter-in e Ministrisë së Jashtme.
Por jo, gjithçka ishte e vërtetë duke i dhënë jetë zërave se diçka kishte ndodhur. Ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila deri në atë moment ishte angazhuar fort për një proces të drejtë në zgjedhjen e drejtuesit të SPAK , nuk reagoi.
Pas disa ditësh, ajo publikoi një editorial me titull “Korrupsioni gërryen potencialin e Shqipërisë’, ndërsa sot Yuri Kim ishte shumë më e drejtpërdrejtë duke i dhënë përgjigje të gjithë arkitektëve ideues dhe ekzekutues të njoftimit se ditët e Kim në Shqipëri ishin të numëruara.
“Unë kam 3 vite në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë. Kjo është ajo që kam mësuar gjatë këtyre viteve, sepse ka një sfidë këtu. E dini kjo nuk ndodh sepse Shqipëria është unike, është në mënyrë unikale e korruptuar, jo!”– tha ambasadorja Yuri Kim në konferencën “Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Kryeministri Edi Rama i pyetur për ambasadoren Kim ka konfirmuar se ka nisur procedura e zëvendësimit dhe se me ambasadoren ka marrëdhënie të mira.
“Procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur, siç është thënë dhe nga Ministria e Jashtme. Natyrisht që nuk e kemi nisur ne procesin, e ka nisur DASH si për të gjithë ambasadorët”.
Top Channel