I sekuestrohet pasuria me vlerë 2 milionë euro bashkëshortes së Admir Muratajt, grabitësit që u vra në Rinas

12/12/2022 16:35

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka vendosur sekuestrimin e pasurive të bashkëshortes së Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë gjatë grabitjes së Rinasit.

Bashkëshortes së 47-vjeçare, Albanës, i janë sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë 2 mln euro, të dyshuara se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Pasuria e sekuestruar përfshin 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën ‘Mihal Grameno’, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathor (pranë TEG-ut).

Organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga shtetasja Albana.A  dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme, nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të regjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme.

“Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Relative”. Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë. Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht:

1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë”- njofton policia.

Top Channel