Hyri në Shqipëri me snajper dhe municion armësh, lihet në qeli 53-vjeçari

12/12/2022 12:35

53-vjeçari që hyri në Shqipëri me snajper dhe municion e armë të tjera është lënë në burg.

Gjykata e Durrësit ka vendosur sot arrest në burg pa afat si masë shtrënguese për shtetasin Selman Lajçi, 53 vjeç, me banim në Zvicër.

Pavarësisht pretendimeve të tij se i përdorte armët si një hobi dhe se zotëron leje për to, në përfundim të gjykimit të seancës së datës 12.12.2022, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit S. Lajçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga Neni 278/a të Kodit Penal. gjyqtarja Nurjeta Tafa caktoi masën e sigurimit “arrest në burg” për të.

Lajçi u arrestua të enjten e kaluar pasi u kap në port menjëherë pas zbarkimit nga trageti që vinte nga Ankona dhe kishte si destinacion Kosovën. Në mjetin tip “Land Rover” iu gjet një snajper, një pistoletë, një armë gjahu dhe mbi 2 000 fishekë.

Seanca për masën e sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Top Channel