Shqipëria duket se ofron terrenin më të përshtatshëm për ngritjen e call centerave që funksionojnë si skema mashtruese ku përfitohen me miliona euro.

Në operacionin e fundit të policisë tiranë janë identifikuar 15  call center, që kryenin transferta parash drejt Shqipërisë, me vlerë totale rreth 5 milionë euro, Gjykata caktoi masa sigurie për 15 shtetas, nga të cilët 9  italianë dhe 6 shqiptarë.

Ata akuzohen për “Fshehjen e të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.  Nga të dhënat e disa institucione ligjzbatuese në vend rezulton se në qendër të veprimtarisë së këtyre shtetasve është ushtrimi i Brokërimit e kamufluar pas aktivitetit Call Center, ku janë të përfshirë disa operatorë ekonomikë që operojnë në vendin tonë, të cilët synojnë përfitimin e paligjshëm me vlera të konsiderueshme nëpërmjet mashtrimit të shtetasve të huaj.

Ne vijim te veprimeve hetimore te deleguara nga Oficeret e Sektorit te Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë se Përgjithshme të Tatimeve për këta call center të dyshimtë ka rezultuar se ne llogarite bankare te 15 subjekteve me fushe operimi Call Center: Janë transferuar vlera te konsiderueshme monetare te cilat me pas janë tërhequr Cash duke iu fshehur destinacioni përfundimtar.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës për ekzekutimin e masave të sigurisë, si rezultat i verifikimeve të kryera në sistemin TIMS, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të policisë Tiranë, ka rezultuar se 9 italianë dhe 1 shqiptar, nuk ndodhen në Shqipëri.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në banesat e shqiptarëve të përfshirë në këtë skemë , shërbimet e Policisë kapën dhe ndaluan vetëm një 30 vjeçar. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e 4 shqiptarëve të tjerë , ndaj të cilëve është caktuar masa  e sigurisë “Arrest në burg”.

Paralelisht me kontrollet Hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të skemës.

Top Channel