Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, njëkohësisht kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet lokale 2023, ka denoncuar shitjen në ajër të apartamenteve në Durrës Yacht Marina, kur aty nuk kanë nisur ende punimet.
Firma nuk është e pajisur me leje ndërtimi dhe po shitjet po bëhen në një zyrë që ofron makete dhe broshura, por jo apartamente, shkruan Cara, ndërsa i bën thirrje “çdo shtetasi shqiptar apo të huaj për të mos rënë pre e mashtrimit”:
Njoftimi për shitjen e apartamenteve nga Durrës Yacht Marina, zyrtarizoi shkeljet ligjore në lidhje me projektin e portit të Durrësit, që specialistët e opozita i kanë artikuluar në vijimësi, që nga prezantimi i tij.
Jo vetëm nuk kanë nisur punimet në terren, por firma nuk është pajisur as me leje ndërtimi.
Në një zyrë të vendosur në hyrje të portit, ditën për diell, si për të sfiduar çdo banor të qytetit, shitja e këtyre apartamenteve në ajër u lançua në çdo gjuhë.
Një vënie në lojë për këdo që ka sy të shikojë!
Një mashtrim i hapur që bëhet me qëllime të caktuara!
Me çmime shumëfish më të larta sesa standardi i jetesës së shqiptarëve, në një zyrë që ofron makete dhe broshura, por jo apartamente.
Në cilin shtet, me ligje dhe rregulla legjitimohet haptazi vjedhja dhe mashtrimi?
Në cilin shtet ligjor, mund të shiten apartamente, që nuk ekzistojnë as de juro dhe as de facto?
Në cilin shtet në shërbim të qytetarëve, u shitet ajër, në këmbim të qindra mijëra eurove?
Sigurisht, vetëm nëse shteti është bashkautor në krim, ka shpjegim kjo që po ndodh në Durrës!
Një akt i tillë do të duhej të kishte vënë në lëvizje organet e drejtësisë, që duhej të kishin hapur një hetim për këto shkelje të hapura ligjore, ku shiten prona inekzistente dhe ku kompania që i tregton nuk ka as leje për të nisur ndërtimin, pa harruar, që projektligji, ku përfshihet edhe shitja e këtyre apartamenteve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Kush mban përgjegjësi, nëse qytetarët humbin paratë e investuara, duke pasur besim te shteti, që garanton, duke dhënë edhe kredi për blerjen e këtyre apartamenteve?
Duke i bërë thirrje çdo shtetasi shqiptar apo të huaj për të mos rënë pre e mashtrimit, opozita siguron se do të vazhdojë të denoncojë dhe ndërmarrë hapa konkrete ligjore për ta penguar këtë projekt ogurzi për Durrësin dhe jo vetëm!
Ndërsa gjithçka është ende në letër për projektin e transformimit të Portit të Durrësit, shitja e apartamenteve tashmë ka nisur.
Çmimet fillojnë nga 110 mijë euro për sipërfaqet më të vogla. Apartamentet që do të ofrohen për blerësit në këtë zonë që pritet të transformohet janë me një, dy apo tre dhoma.
Projekti për portin e Durrësit u miratua në parlament mes shumë kundërshtimesh nga opozita, e cila e cilëson atë si aferën korruptive më të madhe të 30 viteve të fundit.
Projekti është rreth 2 miliard euro, një pjesë e së cilës do të mblidhen nga shitja e apartamenteve.
Top Channel