Maroku shkruan historinë, fiton 1-0 ndaj Portugalisë dhe eliminon luzitanët favoritë. Kombëtarja marokene bëhet e para skuadër afrikane në historinë e Botërorëve që arrin në gjysmëginalet e Kupës së Botës teksa heroi i sfidës ishte sulmuesi En Nesyri që realizoi në minutën e 41-të të pjesës së parë.
Sa i takon pjesës së parë, ishte Portugalia ajo që shfaqet e para me Joao Felix i cili në minutën e katërt goditi bukur me kokë, por gjeti portierin Bono të gatshëm. Gardiani marokenëve nuk u surprizua dhe e dërgoi topin në këndore. Me kalimin e minutave, loja u balancua, derisa në të 31-tën u shfaq sërish Felix. Këtë herë talenti i portugezëve provoi nga distanca me topin që mori një devijim në fund dhe për pak centimetra përfundoi jashtë. Gjithsesi, Maroku nuk u impresionua nga kundërshtarët dhe në të 41-tën shënuan golin e avantazhin. Ishte sulmuesi En Nesyri që përfitoi edhe nga një dalje e gabuar e portierit Costa dhe me kokë shënoi golin. Pas këtij episodi, sfida u ndez dhe Bruno Fernandez u ndal nga traversa ndërsa në minutat shtesë të fraksionit të parë, Maroku shpërdoroi edhe një mundësi të pastër shënimi pasi e kapi kundërshtarin në kundërsulm.
Gjithsesi, përtej mundësive, pjesa e parë u mbyll në avantazhin e Marokut 1-0 ndërsa në të dytën, rezultati imponoi Portugalinë të sulmonte. Në lojë u aktivizua edhe Cristiano Ronaldo ndërsa një mundësi të shkëlqyer iu ofrua Goncalo Ramos që i vetëm në zonë gaboi shënjestër me kokë. Pak minuta më pas, edhe Fernandez nuk gjeti kuadratin me një goditje të fortë në hyrje të zonës. Tetë minuta nga fundi, Felix godet fort në hyrje të zonës, por Bono reagon në mënyrën e duhur. Sakaq, në të 91-tën, Ronaldo shfaqet dhe gjuan në brendësi të zonës, sërish Bono kontrollon edhe pse me pak vështirësi dhe në dy kohë. Në minutën e 93-të, Maroku mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Cheddira koleksionoi kartonin e dytë të verdhë, megjithatë shokët e tij në fushë rezistuan dhe siguruan biletën për në gjysmëfinale, aty ku presin fituesin e çiftit Angli-Francë./ Super Sport
Top Channel