Në Elbasan është arrestuar një 35-vjeçar që i bënte presion një shtetasi për t’i dhënë 400 mijë lekë.

Arrestimi është bërë ndërsa ai po merrte paratë.

Gjobvënësi është nga Tirana dhe kishte shkuar në Elbasan për të marrë paratë, por gjatë gjithë kohës ka qenë nën ndjekjen e policisë. Këta të fundit kanë ndërhyrë në momentin që 35-vjeçari ka marrë paratë dhe i ka futur në çantën e tij.

Ai tani akuzohet se ka kryer në bashkëpunim veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Po në Elbasan janë zbardhur 5 raste vjedhjesh dhe është kapur autori një 27-vjeçar. Ai hynte duke thyer banesat ku rrëmbente paratë, në një rast ka sulmuar edhe një grua në rrugë.

Specialistët e strukturave hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se një shtetas ishte shtrënguar me anë të kanosjes, për dhënien e një shume parash, kanë iniciuar një hetim proaktiv, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, dhe si rezultat kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shifra”.

Në kuadër të këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi E. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë’. Falë ndërhyrjes në kohë, të shërbimeve të Policisë, ky shtetas u kap në flagrancë teksa merrte shumën e parave.

Nga veprimet hetimore rezulton se 35-vjeçari, në bashkëpunim me të tjerë, ka kanosur një shtetas, për dhënien e 400 000 lekëve të rinj, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një celular dhe me biçikletën me të cilën lëvizte i arrestuari.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, si edhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel