16-vjeçari nuk ndalet, kapet për të dytën herë duke transportuar emigrantë të paligjshëm në Sarandë

10/12/2022 14:39

Një 16-vjeçar është kapur në flagrancë për të dytën herë duke transportuar tre emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

Shtetasi F. M u kap nga Policia Kufitare Sarandë në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë”, në vendin e quajtur “Burimi i Volloderit”, me një automjet që e drejtonte pa leje, ndërsa po transportonte emigrantët.

16-vjeçari një javë më parë u arrestua në flagrancë nga policia për të njëjtën arsye. Ai u kap duke transportuar katër emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, të cilët tentonin të kaloni kufirin, po ashtu me një automjet që e drejtonte pa patentë.

Ndaj tij u mor masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata “Detyrim paraqitjeje”.

Sipas policisë ai akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufijve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel