Sot nafta duhet  të ishte 186 lekë/ Bordi uli çmimin vetëm 2 lekë! Maqedonia e uli me 10 lekë për litër

09/12/2022 19:45

Komisioni Rregullator në Maqedoninë e Veriut uli naftën me 10 lekë këtë të premte, ndërsa në Shqipëri Bordi vendosi uljen me vetëm 2 lekë.

Përveç se e blejmë më shtrenjtë, në vendin tonë nuk reflektohen në mënyrën e duhur as uljet në bursat ndërkombëtare. Nëse do bënim llogaritë sipas formulës së Bordit, nafta duhet ishte 181 lekë ditën e sotme, por që nga marsi është njoftuar se Bordi i njeh operatorëve të naftës edhe 15 lekë/litër shpenzime operative bashkë me marzhet e fitimit të përfshira.

Ky 15 lekësh është tashmë një taksë e re që Bordi vë mbi qytetarët shqiptarë, që naftën e blejnë 50 lekë më shtrenjtë se Maqedonia e Veriut në çdo litër.

Gjithashtu gjatë nëntë ditëve të fundit kemi parë edhe disa manovra të tjera të Bordit shqiptar. Në 1 dhjetor Maqedonia e Veriut e uli edhe më tej çmimin e naftës me 4 lekë, ndërsa në Shqipëri Bordi në 2 dhe 3 dhjetor me dy vendime të njëpasnjëshme e rriti naftën në një total prej 3 lekësh.

Gjatë gjithë javës naftën e kemi blerë më shtrenjtë se përtej kufirit, ndërsa edhe këto ditë vazhdojmë të kemi mbi supe çmime të ngrira artificialisht lart që mbushin buxhetin e shtetit dhe kompanitë e naftës, por rëndojnë mbi qytetarët shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA