Minstria e Financave ka hedhur për konsultim publik një projektligj me disa ndryshime në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore. 

Ndërhyrjet synojnë uljen dhe parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura të bashkive, që është edhe një nga shqetësimet më të mëdha për shumë njësi.

Një ndër ndryshimet parashikon që përqindja që zë vlera e stokut të borxheve të papaguara të bashkive ndaj palëve të treta të llogaritet ndaj shpenzimeve vjetore faktike dhe jo më ndaj shpenzimeve vjetore të miratuara. Kjo pasi sipas relacionit në të shumtën e rasteve shpenzimet e planifikuara janë më optimiste dhe jo reale, duke mos paraqitur gjendjen reale financiare të bashkive.

Po ashtu, propozohet që fondet e papërdorura nga viti i mëparshëm, jo më pak se 30% e tyre të shkojnë për shlyerjen e pagesave të detyrime të prapambetura nga bashkitë me qëllim zerimin e tyre si dhe pagimin e nën huave të papaguara në kohë. Këto do të bëhen me udhëzim të posaçëm të Ministrisë së Financave.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave deri në fund të shtatorit stoku i detyrimeve të prapambetura të 61 bashkive të vendit llogaritet në 6.6 miliardë lekë, ku Bashkia e Tiranës, Kavaja dhe Vora janë edhe 3 bashkitë me nivelin më të lartë të borxheve të pashlyera të mbartura e të krijuar rishtazi.

Më herët, në vitin 2019 Financat përmes një udhëzimi specifikonin se në krye të bashkive me borxhe do të vendosnin një administrator, ku vetëm pak kohë më parë shpalli edhe konkursin për përzgjedhjen e tyre, duke qenë se deri më tani duket se bashkitë nuk e kishin marrë seriozisht paralajmërimin e qeverisë.

Aktualisht, Vora dhe Kavaja janë edhe dy bashkitë në krizë financiare që po shkojnë drejt kolapsit, ndërsa me probleme paraqiten edhe 14 njësi të tjera bashkiake.

Top Channel