Pasi shënoi rritje të vazhdueshme prej një viti, inflacioni shfaqi shenja ngadalësimi në nëntor.
Sipas institutit të Statistikave, norma e inflacionit arriti muajin e kaluar 7.9%, nga 8.3% që ishte në tetor që përkon edhe me nivelin më të lartë të këtij treguesi në më shumë se dy dekada.
Që prej tetorit të vitit të kaluar çmimet e konsumit janë rritur me ritme të shpejta. Ndikimin më të madh në frenimi e inflacionit muajin e kaluar e ka dhënë transporti, pasi çmimet e këtij grupi shënuan rënie, ndjekur nga grupet qira, ujë e energjisë elektrike.
Megjithatë, pavarësisht kësaj çmimet vijojnë të jenë sërish të larta veçanërisht ato të ushqimeve ku familjet shqiptare çojnë gati 42% të shpenzimeve për blerjen e tyre. Krahasuar me nëntorin e kaluar, artikujt ushqimore janë shtrenjtuar me gati 14.7%, ndërsa në raport me muajin e mëparshëm u ulën lehtë me 0.1%.
Edhe çmimet e karburanteve janë të larta duke ndikuar kështu ecurinë e inflacionit. Vetëm pak ditë më parë bordi i monitorimit të çmimit të naftës uli çmimin e naftës poshtë 200 lekë për litër, për herë të parë që prej krijimit të tij.
Ndërkohë edhe në nëntor ka vijuar shtrenjtimi për mobilimin e shtëpive, për ofrimin e shërbimeve arsimore si dhe shëndetin, ndërsa kostot janë rritur edhe për grupet e tjera, veshjet, komunikimin si dhe për kafenetë e restorantet.
Projeksionet flasin që inflacioni të vijojë të qëndrojë i lartë duke u kthyer në një rrezik për ekonominë, ndërsa Banka e Shqipërisë për ta frenuar atë rriti në nëntor për të 5-ën herë radhazi brenda vitit normën bazë të interesit.
Top Channel