Trazirat në veri/ Amerikanët, Chollet dhe Escobar zbarkojnë në Kosovë javën e ardhshme

08/12/2022 21:44

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pritet të nisë të hënën një vizitë në Kosovë.

Ai do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Vizita e tyre vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Më 6 dhjetor, disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, dhe kanë shkaktuar incidente me armë zjarri në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe.

Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposavic e Zveçan – janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të targave serbe në RKS – Republika e Kosovës. Ndërkohë palët kanë arritur marrëveshje.

Kosova është pajtuar që të pezullojë planin e saj për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa të reja për serbët në veri.

Vetë Chollet ka biseduar me Kurtin lidhur me çështjen e targave dhe ka bërë thirrje “për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”.

Vizita e tyre vjen po ashtu disa ditë pas njoftimit të kryediplomatit evropian, Josep Borell, se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i përditësuar i të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA