Kërkesa e Konventës së Bernës për pezullimin e Aeroportit të Vlorës, Enio Jaço: Test për Shqipërinë

08/12/2022 18:48

Pas kërkesës së Konventës së Bernës për pezullimin e Aeroportit të Vlorës ka reaguar Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço.

Sipas tij, rasti do të jetë një test për Shqipërinë në respektimin e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

“4 Konkluzione nga Kërkesa e Konventës së Bernës për të Pezulluar Ndërtimet në Aeroportin e Vlorës.

1) Konventa e Bernës, një organizatë e Këshillit të Europës në Strasburg, konstatoi se vendimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës janë “në mungesë të dukshme të respektimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare”. Ky nuk është lajm i mirë për shtetin e të drejtës në Shqipëri dhe progresin me hapjen e negociatave me BE. E drejta e ligjit është një nga prioritetet që BE i ka vendosur Shqipërisë përmes progres raportit.

2) Vendimi është një fitore lobimi e forcave ambientaliste të shoqërisë civile në Shqipëri. Nuk është hera e parë që organizatat e shoqërisë civile kanë lobuar në organizmat e Këshillit të Europës. Por EcoAlbania dhe PPNEA kanë meritë të veçantë në përgatitjen e një dosje teknikisht serioze në kanalet europiane të së drejtës.

3) Tani që BE ka hapur procesin e negociatave, është e pritshme që institucionet Europiane të jenë gjithmonë e më të përfshira në proceset e brendshme në Shqipëri- veçanërisht funksionimin e drejtësisë. Prandaj është koha kryesore jo vetëm për t’iu përmbajtur legjislacionit vendas, por edhe për t’u harmonizuar me konventat dhe ligjet ndërkombëtare ku Shqipëria është nënshkruese. Kjo duhet të përfshijë Qeverinë, institucionet e administratës publike, por edhe shoqërinë civile dhe sektorin privat. Nëse palët nuk e kuptojnë këtë, kostot, barra dhe vonesat e rrugës drejt BE-së do të jenë shumë të mëdha.

4) Si do menaxhohet situata në të ardhmen e afërt- do ketë një kompromis me Konventën apo do të shpërfillet? Mjedisi është një çështje thelbësore për BE-në. Kjo do të përcaktojë rrugën, marrëdhënien dhe qasjen që do të vendosin institucionet shqiptare me BE-në” shprehet Enio Jaço në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Top Channel