Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja nuk kërkon shtyrje të zgjedhjeve në veri të Kosovës, por bën thirrje që ato të zhvillohen vetëm nëse ekzistojnë kushtet paqësore për mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, deklaroi se “duhet të merren parasysh të gjithë faktorët e sigurisë”.

Kur shqyrtohet organizimi i zgjedhjeve të pjesshme në veri, autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë, administrativë dhe politikë, për të siguruar që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mbahen vetëm në kushte paqësore. BE-ja dënon sulmet e dhunshme në veri të Kosovës dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues dhe të rivendosin qetësinë menjëherë“- deklaroi Stano.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjithashtu nuk është e bindur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, por kërkon që të ketë më parë një vlerësim nga organet e sigurisë dhe ato zgjedhore.

Shtetet e Bashkuara duken megjithatë të bindura se kushtet e sigurisë, nuk janë të duhura për mbajtjen e këtij procesi kaq polemizues votimi. “ Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Presim nga të gjithë të përfshirët të përmbahen”, thuhej ne postimin në Tëittet të Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor thonë se aktualisht zyrtarët zgjedhorë komunalë, meqë e kanë të pamundur të kthehen në zyrat e tyre në Veri, po e zhvillojnë punën online.

Top Channel