Foto ilustruese

Një 53-vjeçar është arrestuar në portin e Durrësit, pasi në makinë iu gjetën tre armë zjarri.

Gjatë kontrollit në makinën tip “Land Rover”, atij i janë gjetur një snajper, një armë gjahu dhe një pistoletë, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu.

Burime policore bëjnë të ditur se mjeti i drejtuar nga Selman Lajçi ka hyrë në pikën kufitare të portit të Durrësit pasi ka udhëtuar me tragetin e linjës Ankona-Durrës.

Pas daljes nga trageti, mjeti i është nënshtruar kontrollit ku janë konstatuar armët.

Lajçi banonte në Zvicër dhe do të udhëtonte drejt Kosovës bashkë me arsenalin e armëve.

“Operacioni nga Policia Kufitare e Portit Durrës, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore të Portit. Operacioni i zhvilluar mbi bazën e inteligjencës informative dhe analizës së rriskut. Sekuestrohen një armë zjarri snajper, një pistoletë, një armë gjahu dhe municion luftarak. Vihet në pranga 53 vjeçari, i cili udhëtonte nga Italia në drejtim të Kosovës.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e riskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 53 vjeç, banues në Zvicër. Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të RSH, 53 vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip “Land Rover” dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme“, sipas policisë.

Top Channel