Dita e Rinisë që po ikën/ Nga nisja e protestave në 1990, nga Shqipëria kanë ikur 1.2 milionë persona, shumica të rinj

08/12/2022 19:51

Para 32 vitesh, kjo thirrje e të rinjve “E duam Shqipërinë si Europa”, mbetet edhe sot e kësaj dite e njëjta kërkesë.

Europën që pushtetarët nuk bënë dot këtu, e ka përgjysmuar gati popullsinë e Shqipërisë… Të rinjtë kanë ikur e vazhdojnë të ikin drejt Europës së vërtetë!

“Për fat të keq, kemi ngelur pleqtë vetëm. Kanë ikur për më mirë. Këtu ska perspektivë. Shqipëria nuk është bërë Europë e s’ka për t’u bërë kurrë. Kur je i fundit, mund të dalësh I parafundit po I pari nuk del dot kurrë, të mbledhim mendjen!”

1.2 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi për tre dekada, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për popullsinë.

Ndërkohë që përgjatë 2022, mungesa e rreth 18 mijë nxënësve në shkolla dhe mbi 6000 vende të paplotësuara me studentë në universitete, nxjerrin në pah ritmet e shpejta të plakjes së Shqipërisë.

“Unë studioj në Universitetin e Amsterdamit. Nisur nga eksperienca ime, por edhe e miqve të mi pyetjes pse largohemi nga Shqipëria? Përgjigja është se Shqipëria është një vend ku ne nuk mund të ëndërrojmë, është një vend që nuk mund ta projektojmë veten në të ardhmen”, tha studenti Dosti Banushi.

Braktisja e fshatrave, tkurrja e numrit të të rinjve, njoftimet e shumta për vende pune në xhamat e bizneseve, tregojnë sot se periudha e tranzicionit në Shqipëri jo vetëm nuk ka përfunduar, por ka rinisur nga e para.

Probleme të përsëritura që kanë vrarë shpresën te të rinjtë, të cilët ndihen të detyruar të lënë familjet dhe të trokasin në dyert e botës.

Top Channel