Veliaj merr titullin për Tiranën/ I dorëzohet në Bruksel “Qyteti Europian i Sportit 2023”

07/12/2022 13:14

Tirana është edhe zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2023. Titulli iu dorëzua kryetarit të  Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel, nga ku Veliaj u shpreh krenar që sot Tirana është kryefjala e aktiviteteve më të madha sportive të vitit.

“Falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë histori suksesi, duke qenë se janë me qindra qytetet që aplikojnë për këto tituj. Ky është aktiviteti më i madh sportiv që ndodh në Parlamentin Europian”.

Veliaj shprehu bindjen se viti 2023, që do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet, do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare.

“Është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike në 2024 dhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2026. Një njeri mund të fitojë një ndeshje, por duhet një skuadër për të fituar një kampionat dhe sot skuadra e Tiranës, e ka fituar këtë kampionat”.

Teksa është në mbyllje të vitit si Kryeqyteti Europian i Rinisë, Tirana gjatë 2023 do të jetë qyteti europian i sportit dhe do të organizohen më shumë se një mijë aktivitete sportive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA