Shqipëria për vajza U-17 u njoh ditën e sotme me kundërshtaret që do të ketë përballë në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian për vajza 2023 për këtë grupmoshë.
Në shortin e hedhur paraditen e sotme në Nyon të Zvicrës, në selinë qendrore të UEFA-s, Shqipëria mësoi se do të jetë pjesë e grupit B4, së bashku me Luksemburgun dhe Islandën.
Pas konsultimeve mes tre federatave dhe UEFA-s, u vendos që ndeshjet e këtij grupi të Ligës B të zhvillohen të gjitha në Shqipëri në formën e një mini-turneu. Gjithashtu, u vendosën edhe datat se kur do të zhvillohen këto sfida, teksa do të luhen të gjitha në muajin mars, më 15, 18 dhe 21 mars. Skuadra e drejtuar nga Agustin Kola do të jetë sërish pjesë e Ligës B dhe do të tentojë ngjitjen në Ligën A.
Kujtojmë që pak javë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n organizuan me sukses ndeshjet kualifikuese të këtij raundi të parë të këtij turneu për këtë grupmoshë, duke dëshmuar edhe njëherë punën e mirë dhe serioze të institucionit.
Top Channel