Zëvendës Presidenti i partive të djathta Europiane (PPE), Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Europian, i cili i dha zyrtarisht Tiranës titullin e “Qytetit Europian të Sportit” për vitin 2023, thotë se kryeqyteti shqiptar e meriton plotësisht këtë vlerësim.
Ai e quajti titullin një mundësi të mirë për Tiranën, për t’u fokusuar te sporti dhe jetesa e shëndetshme.
Kovatchev ia dorëzoi titullin kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të posaçme në Parlamentin Europian.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që Tirana është “Qyteti Europian i Sportit” i radhës. Kjo është një mundësi e madhe për Tiranën për të rritur vizibilitetin e saj, për të investuar edhe më shumë tek infrastruktura sportive për të gjithë sportet, sportet për minoritetet e ndryshme, sportet për të rinjtë nëpër shkolla, sportet për njerëzit aktivë, sportet për të moshuarit, për të rriturit. Kjo është ideja e madhe e sportit që të bashkojë dhe të integrojë. Çdo euro e investuar në sporte, është një euro e ruajtur për çdo trajtim mjekësor të mundshëm, lidhur me problemet e shëndetit. Sërish, urime miqve të mi në Tiranë dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë,” tha Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Europian dhe zëvendës President i PPE.
Tirana pas vitit si Kryeqytet Europian i Rinisë është shpallur vitin e ardhshëm Qyteti Europian i Sportit, i cili ashtu sikurse vitin që po mbyllet, u mbush me aktivitete me fokus të rinjtë, edhe vitin 2023 do të programojë mbi 1 mijë aktivitete sportive.
Top Channel