Vendimi për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve në veri të Kosovës do të merret vetëm pas vlerësimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit, tha Presidenca e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është i bindur se Policia e Kosovës “ka kapacitete për të garantuar procese demokratike”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.
Kjo pasi, një ditë më herët, grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vlerësimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u takon institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë [nga KQZ-ja] për shtyrjen e zgjedhjeve… presidentja Osmani do t’i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, tha Kupina për Radion Evropa e Lirë.
REL pyeti KQZ-në nëse është duke e shqyrtuar një gjë të tillë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Një ditë më herët, nga KQZ-ja thanë se presin që Policia e Kosovës të bëjë vlerësimin e situatës së sigurisë dhe atë vlerësim, më pas, t’ia dërgojnë Presidencës së Kosovës.
Se kur do të bëhet ky vlerësim nuk është e qartë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha po ashtu se janë në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë, “për hapat e mëtejmë”.
Interesimit të REL-it për këtë çështje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk iu përgjigj.
Zgjedhjet në katër komunat në veri u shpallën nga presidentja Osmani, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi katër komunat në veri – i kundërshton zgjedhjet e 18 dhjetorit.
Duke i komentuar incidentet e një dite më parë, zyrtarët në Serbi thanë se qëllim i institucioneve të Kosovës është që “t’i rrëmbejnë me dhunë katër komunat në veri”, ndonëse nuk sollën ndonjë provë për këto pretendime.
Njohësi i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi, tha se incidentet në veri janë shqetësuese dhe prishin qetësinë publike.
“Kështu që institucionet e Kosovës – në këtë rast edhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës – duhet të vlerësojnë gjendjen e sigurisë. Më pas, gjendja duhet t’i raportohet kryeministrit të Kosovës [Albin Kurti], në mënyrë që ai të vendosë se si do veprojë me zgjedhjet”, tha Ibishi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet në Kosovë, procesi në veri duhet të shtyhet për një afat të pacaktuar.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se këmbëngulja e institucioneve për të mbajtur zgjedhje në këtë kohë, do të ishte e pakuptimtë dhe e papranueshme.
“Në këtë situatë, vëzhgimi i zgjedhjeve nga organizatat joqeveritare praktikisht është i pamundur. Në fakt, ne, si organizatë që merremi me monitorimin e zgjedhjeve, kemi kërkuar tash e sa kohë që të rishqyrtohet opsioni për mbajtjen e zgjedhjeve, në mënyrë që të evitohen skenat kur mund të kemi raste të dhunës”, tha Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – tha se incidentet e fundit janë tendencë e qartë e Listës Serbe për të mbajtur pushtetin në katër komunat në veri të Kosovës.
Për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve duhet të vendosin institucionet kompetente, tha ai.
“Tash, se si vendosin në aspektin politik institucionet tjera kompetente lidhur me këtë çështje… nuk i takon KQZ-së. KQZ-ja e ka detyrim kushtetues t’i përgatisë dhe t’i mbajë zgjedhjet”, tha Kurteshi.
Edhe Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se duhet pritur vlerësimin e situatës së sigurisë.
“KQZ-ja e ka gatishmërinë t’i mbajë zgjedhjet. Kjo gatishmëri duhet të ketë përkrahje nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë. Ato bëjnë vlerësimin e rrethanave të sigurisë dhe unë mendoj se vullneti i qytetarit duhet të shprehet lirshëm”, tha Elshani.
Për Ibrahim Selmanajn, anëtar i KQZ-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, situata e sigurisë në katër komunat në veri të Kosovës nuk është në favor të zgjedhjeve të paralajmëruara.
“Rruga më e mirë është që të shtyhen zgjedhjet deri në një marrëveshje politike, e cila mund të merret në nivel më të lartë. Çdo përpjekje tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve rrezikon banorët. [Zgjedhjet] nuk mund të mbahen si të tilla, sado që KQZ-ja i ka përfunduar të gjitha obligimet dhe detyrimet e parapara me Kushtetutë dhe me ligjet përkatëse”, tha Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.
Tensionet në veri të Kosovës nisën të rriten qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës tha se nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.
Duke kundërshtuar këtë plan, që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!
Shpallja e zgjedhjeve në veri nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte obligim ligjor./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel