Presidenti Bajram Begaj ka emëruar gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimin.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerësoi tre kandidatë për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.

Nga rezultati i pikëzimit, Gent Ibrahimi është vlerësuar me 88.38 Pikë, Arta Vorpsi është vlerësuar me 88.22 Pikë dhe Arta Marku është vlerësuar me 82.66 Pikë.

Njoftimi i plotë nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:

Genti Ibrahimi  88.38 pikë
Arta Vorpsi 88.22 pikë
Arta Marku 82.66 pikë

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që: Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Gent Ibrahimi

Kush është Gent Ibrahimi?

Është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1992. Ka përfunduar studimet Master në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), Budapest, në periudhën 1994 – 1995. E ka filluar karrierën e tij si profesor i të Drejtës Administrative në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si Oficer Programi në Fondacionin Soros (1994 – 1995), Këshilltar Ligjor/Shef Kabineti i Ministrit të Shtetit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Parlamentin (1997 – 1999), Këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale (2002 – 2003), Këshilltar Ligjor në UNMIK (2003, 2004, 2006), Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (1999-2009) dhe Këshilltar në Projektin kundër Korrupsionit, PACA (2009 – 2012). Në vitet 2014 – 2016 Ibrahimi shërbeu si ekspert i nivelit të lartë në grupin e ngushtë të ekspertëve të angazhuar nga Komisioni Parlamentar Ad Hoc për Reformën në sistemin e Drejtësisë.

Aktualisht është Kryetar i Këshillit të Reformës Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë.  Ibrahimi ishte Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë  nga viti 2018 deir në mars të vitit 2022. Përpara marrjes së kësaj detyre, Ibrahimi ka drejtuar për pothuajse 19 vjet (me disa shkëputje) Institutin për Studime Publike & Ligjore, një organizatë e shoqërisë civile me orientim kërkimor/shkencor në fushën e qeverisjes dhe sistemit të drejtësisë.

Top Channel